Gjykata Kushtetuese e vlerëson të ligjshëm masën e ndalimit detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore të vendosur nga Gjykata e Posaçme për Sali Berishën. Në vendimin e saj me shumicë votash trupa gjykuese argumenton se kjo masë nuk ka nevojë për autorizim Kuvendi pasi nuk cënon të drejtat e tij si deputet.
Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.
Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërish kërkesën e dytë të bërë nga juristët e Berishës, dhe shfuqizoi vendimin e GJKKO për masë e ndalimit të daljes jashtë shtetit me argumentin se nuk ishte e domosdoshme.
Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqësore objekt të shqyrtimit kushtetues, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj kërkuesit Sali Berisha për shkak të cënimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kësaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Berisha ka ankimuar masën e parë, ‘detyrim paraqitjeje’ të 21 Tetorit 2023, që më pas u kthye nga GJKKO në masë shtrënguese “arrest shtëpie”. Ai e cilësonte antikushtetues vendimin, pasi nuk është marrë leje nga Parlamenti.
Vendimin e gjykatës Kushtetuese Berisha e komentoi gjatë daljes para qytetarëve nga ballkoni i tij duke e cilësuar një vendim turpi që u paralajmërua pak ditë më parë nga Ministri i Drejtësisë.
Vendimi i Kushtetueses për ish-kryeministrin Berisha nuk ndryshon fakti penal të masës “Arrest në Shtëpi” e miratuar rreth një vit më parë nga Gjykata e Posaçme.
Klan News