Dy punonjës policie, një doganier dhe dy qytetarë janë ndaluar nga agjencia e Mbikqyrjes Policore e rajonit Vlorë Gjirokastër. Ata akuzohen për kontrabandë mallrash e trafik klandestinësh. Në kërkim është shpallur edhe një punonjës tjetër policie.
Sipas njoftimit të AMP Kryekomisar Alfred Kondi, me detyrë Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në drejtorinë e policisë së Gjirokastër dyshohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.
Nënkomisar Xhevit Dine, me detyrë Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.
Ndërsa ky është momenti kur punonjësi tjetër i policisë, inspektori Feim Onjea, me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja, vrapon për tu larguar nga komisariati sapo merr vesh masën e arrestit. Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” në bashkëpunim.
Po sipas policisë doganieri Bledar Mustafaraj në Kakavijë akuzohet për “Falsifikim të dokumentave” dhe “Kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Dy qytetarët e ndaluar në këtë aksion, Ilir Muho dhe Kleodor Kazo akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e këtyre personave në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojrave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.
Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celular.
Klan News