Trafikanti i kokainës, Enea Sulejmani, që u qëllua mbrëmjen e djeshme me armë nga një punonjës policie në Tiranë paraqitet jashtë rrezikut për jetën pasi sipas informacioneve paraprake, plumbi nuk i ka prekur asnjë organ jetësor.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se së bashku me trafikantin e drogës, në pranga kanë rënë dhe 2 të rinj të tjerë, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj pasi dyshohet se bashkëpunonin për të furnizuar shpërndarësit e lëndës narkotike në zonën e Xhamllikut. Sipas të njëjtave burime, ata do të shkëmbenin drogën në vendin që u kapën në agjentët e antidrogës.

Foto: Kokaina e gjetur në makinë (Tiranë, Mars 2024)

Kujtojmë se Enea Sulejmani tentoi të transportonte 1 kg kokainë në momentin kur u qëllua nga policia pasi gjatë operacionit për arrestimin e tij, nuk iu bind thirrjes së policisë dhe i ka dhënë shpejtësi mjetit të tij duke rezikuar jetën e punonjësve të policisë. Sipas asaj që ka mësuar gazetari Bajraktaraj, Sulejmani është kryetar i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas.

Foto: Pamje nga vendi i ngjarjes (Tiranë, Mars 2024)

Nga hetimet paraprake të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, efektivët e antidrogës nuk kanë kryer shkelje. Atyre u është kërcënuar jeta pasi mjeti nuk i është bindur urdhërit të policisë dhe drejtuesi i makinës i ka dhënë gaz duke i goditur efektivët, por fatmirësisht pa të lënduar.

Një reagim për ngjarjen pati edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se për këdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, toleranca do të jetë zero.

Ndërsa Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike Paketa e Sigurisë në shkolla Tempulli 2 pak momente më parë gjatë një operacioni të njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, personat e dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në përpjekje për t’u larguar kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit.

Si Ministër i Brendshëm duhet të rikujtoj se kushdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën (siç ndodhi sonte) në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është zero. Policia e Shtetit ka gjithë mbështetjen për të vijuar goditjen e krimit, në të gjitha format e tij“, shkroi Balla.


NJOFTIMI I AMP:

Në datë 21.03.2024, në Rrugën “Mihal Duri’ Tiranë, strukturat për Hetimin kundër Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë veprimeve policore në funksion të një procedimi penal, me qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim, kanë hasur në kundërshtimin dhe mosbindjen e disa shtetasve, ku njëri prej tyre, duke drejtuar automjetin tip “Tiguan”, në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të rrezikshme duke goditur dhe duke u bërë rrezik serioz për jetën e disa punonjësve të policisë, si dhe ka shkaktuar dëme materiale një automjeti të Policisë së Shtetit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t’u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizmin e mjetit.

Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kerkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


/tvklan.al