Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj një grupi kriminal që trafikuan drogë në Gjermani në sasi të mëdha.
Procedimi i nisur në vitin 2022 nga bashkëpunimi i SPAK me autoritetet gjermane, bazuar edhe në komunikimet në aplikacionet e koduara EncroChat dhe SkyEcc, kanë vënë para përgjegjësisë ligjore Islam Sefën alias Islam Xaka, Hajdar Lala alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa, Vidjan Baroka dhe Durim Xaka.
Sipas SPAK, nga tërësia e hetimeve të kryera janë identifikuar 12 persona, 8 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë dhe 4 shtetas gjermanë, të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal të trafikimit të narkotikëve.
Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja dhe pasi futej në territorin gjerman tregtohej në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si edhe në shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë viteve 2020-2021 kanë trafikuar në Gjermani, sasinë prej mëse 1 ton lëndë narkotike e llojit marijuanë, vlera e së cilës arrin shumën e 3,374,400 Euro.
Nga aktet e administruara për këtë procedim penal ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit, Islam Sefa (alias Xaka), dhe Hajdar Lala (alias Sefa, alias Xaka) kanë pasur rol drejtues dhe financues në veprimtarinë e paligjshme kriminale të trafikimi të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Vidjan Baroka dhe Durim Xaka dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar dhe dënuar në Gjermani, kanë pasur rol ndihmues.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode, SPAK ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal, teksa hetimet vijojnë.
/tvklan.al