Lajme Arkiva 2004
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në mbrëmje afër brigjeve të Vlorës, një gomone, të paktën ky është informacioni i marrë deri më tani, me mbi 35 persona në bord, midis të cilëve gra dhe fëmijë kanë mbetur në det pas tentativës së dështuar për të kaluar në Itali.
Burimet janë shumë kontradiktore, por mësohet se midis klandestinëve ka edhe të mbytur. Vetë klandestinët ose skafistët kanë apeluar për ndihmë.
Rojet bregdetare të Ministrisë së Mbrojtjes, ato të policisë, si dhe ato të Guarda di Finanzia kanë tentuar të shpëtojnë klandestinët, por deri tani nuk ja kanë arritur për shkak të detit shumë të trazuar.
Në këto kushte Ministria e Rendit ka apeluar forcat e NATO-s për të ngritur helikopterët në operacion shpëtimi, por as ato nuk kanë mundur të ulen. Ndërkohë ministri Solis ka urdhëruar që spitali të kalojë në gatishmëri.
Gomonet mendohet se kanë mbërritur pranë Karaburunit. Ky është rasti i parë i nisjes së gomoneve në Itali për vitin 2004./tvklan.al