2 vite nga tragjedia në Larisa pas përplasjes së dy trenave ku 57 persona humbën jetën, mijëra studentë grekë kanë marshuar drejt ndërtesës së parlamentit në Athinë.
Ata kërkojnë drejtësi për personat që humbën jetën në fatkeqësinë më të rëndë hekurudhore të vendit.
“Do të jemi në rrugë derisa drejtësia të vendoset, derisa situata në Greqi të ndryshojë, ku herë pas here dëgjojmë se do të ndodhë një tragjedi e re dhe shpesh themi kush do të jetë e radhës”, tha Niki Steinhauer.
Hetimi për ngjarjen e rëndë ende vijon. Dhjetëra persona janë akuzuar deri më tani, duke përfshirë një drejtues stacioni hekurudhor.
Sipas një raporti të ekspertëve të punësuar nga familjet e viktimave, përplasja çoi në një shpërthim dhe më pas një zjarr të madh.
Familjaret kanë akuzuar autoritetet se po përpiqen të mbulojnë provat. Ata thonë se gati gjysma e personave humbën jetën nga zjarri që pasoi më vonë për më shumë se një orë pas përplasjes, dhe jo nga vetë përplasja.
Gati dy vjet më vonë, nuk ka asnjë raport zyrtar se çfarë e shkaktoi tragjedinë.
Klan News