Çdo vit 2 milionë vajza në botë pësojnë gjymtim gjenital. Raporti i fundit i OKB nxjerr në pah problematikën që prek ende vajzat në vitin 2025, ku më shumë se 2 milionë gjymtohen në gjenitalet e tyre para se të mbushin 5 vjeç.

Kjo praktike kryesisht është e përqendruar në 30 vende të kontinentit Afrikan, por edhe në Azi, Amerikë Latine, Evropën Perëndimore, Australi e Amerikë e Veriut, duke u klasifikuar si problematikë e rëndë universale.

Edhe në Italinë fqinje numërohen 80 mijë vajza të gjymtuara, shifër mjaft e lartë për një vend me histori perëndimore dhe katolike, e që nuk bën pjesë në kulturën vendase.

Sot në botë vlerësohet se janë rreth 230 milionë vajza e gra që kanë pësuar këtë praktikë të rëndë, që ligjërisht në nivel ndërkombëtar konsiderohet dhunim i të drejtave të njeriut.

Arsyeja është për të mbajtur vajzat të purifikuara deri në martesë, duke prerë një pjesë dhe duke qepur për së gjalli organin gjenital që në fëmijëri.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Guterres, mbi argumentin është shprehur se brenda vitit 2030 duhet të intensifikohet lufta ndaj këtij dhunimi barbar që shkakton vuajtje, problematika të rënda mjekësore, dhe ndikon rëndë në dinjitetin femëror.

Klan News