Rreth 24 orë para ndeshjes me Hungarinë në kampin kuqezi gjendja është e mirë, përveç mungesës së Beqajt të gjithë futbollistët e tjera nuk kanë shfaqur probleme, madje janë stërvitur me intensitet në disa ndeshje me fusha të vogla ashtu siç kishte në projekt edhe trajneri Arie Haan.

Hungaria është e vetmja skuadër që na ka shënuar në këto eliminatore, por tekniku holandez, thyen heshtjen e shtypit dhe një ditë para ndeshjes dhe pranon për Tv Klan se kësaj radhe ata nuk do t’ia dalin.

Arie Haan:Futbollistët janë të motivuar, ne duam të fitojmë dhe kemi dëshirën për të fituar dhe do ta tregojmë në fushë edhe për faktin se luajmë në shtëpinë tonë. Është e vërtetë që hungarezet janë të vetmit që na kanë shënuar por kësaj radhe nuk do t’ia dalin.

Me ndarjen e bërë trajneri ka paraqitur pa problem edhe formacionin me të cilin pritet të nisë ndeshjen kundër hungarezëve. Në portë Isli Hidi, në mbrojtje Dallku, Cana, Beqiri dhe Curri. Mesfusha do të mbulohet nga Duro, Lala, Bulku dhe Lika, Skela dhe Hamdi Salihi do të sulmojnë portën kundërshtare.

I rikthyer në mes shokëve të skuadrës Lorik Cana një prej shtyllave kryesore të ekipit, thotë se në këtë ndeshje duhet fitorja për tifozët dhe për ngjyrat e flamurit.

Lorik Cana:Të gjithë na presin që ta fitojmë këtë ndeshje dhe që nuk mund ta quajmë se jemi favorit, po Hungari nuk është një kundërshtar që është në nivel më të lartë se ne, jemi përgatitur për ta fituar ndeshjen.”

Gazetari:Nuk do të mungojnë as kësaj radhe tifozët nga Kosova?”

Lorik Cana:Ata nuk presin që ne të bëhemi kampion bote, ata presin që ne t’i mbrojmë ngjyrat dhe fanellën kuq e zi me gjithë shpirt me gjithë zemër. Ajo është e sigurt se ne do ta kryejnë këtë mision.”

Gjatë gjithë këtyre ditëve ka qëndruar pranë ekipit. Nuk mungon as në ditën e fundit presidenti i federatës së futbollit Armand Duka. Është i kujdesshëm në deklaratat e tij dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë lë të kuptosh, se duke pret nga skuadra largimin e shijes së hidhur që ka mbajtur prej ndeshjes me Maltën, të cilën e klasifikon si një paraqitje të keqe.

Armand Duka:Ndeshja me Hungarinë është një ndeshje e rëndësishme, për arsye sepse luajmë pas shumë kohësh para spektatorit tonë. Është e  rëndësishme sepse nëse do arrijmë një rezultat pozitiv ne jemi në vend të dytë në grup dhe është më akoma më e rëndësishme, sepse vijmë nga një ndeshje me një paraqitje të keqe dhe me një rezultat negativ. Kështu që unë uroj dhe shpresoj që nesërtë kemi një ndeshje të mirë, një paraqitje të mirë të ekipit që të kënaqin tifozët shqiptar. I ftoj gjithë tifozët që të na vijnë në stadium dhe ta përkrahin ekipin dhe të kemi fat dhe të marrim 3 pikë.”

Për vetë situatën e krijuar në grup, kjo me Hungarinë ndoshta është ndeshja më e rëndësishme, por gjithçka do të vendoset në fushën e “Qemal Stafës” në orën 20.30 të së shtunës./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe