Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani, po kalon një moment të keq te Lecce, në Itali.

Futbollisti kuqezi, nuk luajti asnjë minutë në ndeshjen e Kupës së Italisë, ku skuadra e tij u mposht 0-2 dhe u eliminua nga Sassuolo, në fazën e 1/16-ve.

Ramadani kishte një përplasje në distancë me trajnerin në fundjavën që lamë pas. Në minutën e 75-të të sfidës Lecce-Parma, trajneri Gotti u përpoq të bënte lëvizjet e tij. Tekniku i Lecce-s futi në fushë Rafian dhe Pierotin e vendosi të nxirrte Ramadanin dhe Tete Morenten.

Kur Ramadani doli nga fusha, ai bëri një veprim që i befasoi të gjithë. Nuk ishte aspak i kënaqur me zëvendësimin dhe këtë e shprehu në sy të të gjithëve. “Shkofsh në djall”, ishin fjalët e tij drejtuar trajnerit Gotti, që u filmuan edhe nga kamerat, raporton pianetalecce.it.

Në reagimin e tij, tekniku Gotti tha se diçka të tillë nuk e priste nga një futbollist profesionist si Ramadani. Duket se ky episod i ka kushtuar shumë Ramadanit, për ndeshjen e Kupës ndaj Sassuolo-s, ku qëndroi gjatë gjithë kohës në stol. /tvklan.al