Banorët e bllokut të banimit në Rr. “Enver Preza”, në Sauk, nuk do të shkelin më në baltë gjatë dimrit, por as të mbyten në pluhur gjatë verës.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar investimin në bllokun e banimit në rrugën “Enver Preza” në Sauk, duke transformuar pamjen e zonës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky është një premtim i mbajtur për banorët, ndërsa siguroi se ndërhyrjet e bashkisë do të vijojnë me të njëjtën shpeshtësi edhe gjatë verës, kur njerëzit janë me pushime.

“Më vjen mirë që kemi përfunduar 7 rrugë në 7 muaj, dhe kjo 7 herë 7 jonë është më produktive sepse ka një rezultat konkret, sesa 7 herë 7 e rrenave. Më vjen mirë që sportiviteti me të cilin merreshin dikur premtimet elektorale, është një përrallë nga e kaluara. Nëse socialistët thonë se Tirana do të bëhet me 24 orë ujë, sot më shumë se gjysma e qytetit ka 24 orë ujë. Nëse themi që do të vëmë dorë edhe në fshat, kjo bëhet realitet. Nëse themi se në 7 muaj do të bëhen këto 7 rrugë, e mbajmë fjalën”, tha Veliaj.

Lajmi tjetër i mirë për banorët e Saukut është edhe ndërtimi i dy shkollave të reja, një 9-vjeçare, që përfshin edhe parashkollorin, si dhe një shkollë e mesme. Veliaj siguroi se shkollat e reja në Sauk do të kenë të njëjtat standarde si ato në qendër të qytetit.

“Dua të falenderoj Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm për dakordësinë për të shkëmbyer një pronë të Bashkisë së Tiranës me një pronë të Akademisë së Sigurisë. Kjo na siguron që tek ish-spitali i vjetër i Arabit, si dhe tokën që kemi në anën tjetër, t’i lidhim me një urë për dy shkolla: një 9-vjeçare dhe një të mesme, të dyja të reja, për t’u siguruar që e gjithë Njësia 2, zona e Saukut, pra gjithë zona mbi Varrezat e Dëshmorëve, të ketë një pol arsimor. Nga parashkollori, pra nga mosha 5 vjeç, deri në moshën 18 vjeç, nuk ke nevojë të përplasesh nëpër furgonë dhe të harxhosh orë të tëra në rrugë për t’u shkolluar”, shtoi ai. /tvklan.al