Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar punimet në shkollën 9-vjeçare “Shyqyri Peza” në Kombinat e cila do të bëhet gati për vitin e ardhshëm shkollor.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Kombinati ka shkollat më të mira në Tiranë. E filluam me “Betim Muçon”, vazhduam me “Lasgush Poradecin”, mbaroi “Musine Kokalari”, mbaroi edhe “Myslym Keta”. Jam i bindur se me këtë përkushtim dhe afatet që kemi vënë, viti tjetër do ta gjejë shkollën “Shyqyri Peza” siç e meriton edhe kjo pjesë e Kombinatit.
Sipas Veliajt projektet e Kombinatit po bëhen për gjeneratën e ardhshme.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Me këtë histori kemi mbyllur të gjithë kapitullin e shkollave në Kombinat dhe mund të zhvendosemi në një zonë tjetër, si zona e Unazës së Madhe, aty ku do të fillojmë ndërtimin e 4 shkollave të reja. Jam vërtet entuziast që gjithë kjo zonë, që deri dje quhej periferi, sot po merr investime shumë më cilësore sesa në qendër. Kështu, i lëmë një pajë Kombinatit me 5 shkolla të reja, kopshte e çerdhe, që do jenë këtu për 100 vitet ardhshme.
Projekti i shkollës, parashikon një shtesë të re me tre kate, duke bërë të mundur shtimin e klasave, gjë që do të krijojë hapësira për të zhvilluar mësimin vetëm me një turn.
Klan News