Kampionia olimpike e Kubës në hedhjen e çekiçit, Yipsi Moreno dhe 6 shtetas të tjerë të huaj janë banorët më të rinj të kryeqytetit.
Në ceremoninë e betimit në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se sot Tirana po jeton ditët e saj më të mira, duke u kthyer gjithmonë e më shumë në një qytet të mundësive edhe për shtetas të huaj.
“Jam krenar se si Tirana po kthehet gjithmonë e më shumë një vend i mundësive, për ata që e shohin këtu jetën e tyre, karrierën dhe të ardhmen e tyre. Sot betohen për shtetësinë shqiptare njerëz që vijnë nga Kolumbia e Kuba, e deri te Europa e Azia, të cilët bëhen pjesë e skuadrës “Team Albania”. Ky është ndoshta momenti ynë më i mirë, momenti më i mirë i kësaj skuadre. Sot Tirana është në ditët e saj më të mira”.
Sipas Veliajt, ndryshe nga disa vite më parë kur sportistët shqiptarë shkonin për të përfaqësuar shtetet e huaja, sot shumë sportistë nga vende të tjera të botës vijnë për të triumfuar për Shqipërinë.
“Aty ku njerëzit punojnë si skuadër dhe i thonë njëri-tjetrit: “Bravo, ec përpara”, aty ka sukses. Aty ku secili merret me punët e tjetrit dhe pengon tjetrin në vend që ta shtyjë, aty humbasim kohë të çmuar. Për shumë prej nesh, që janë ndjerë keq në vitet ‘90 kur sportistët tanë elitarë ngrinin flamurin e një shteti tjetër, sot gjërat kanë ndryshuar”.
Veliaj u ndal edhe tek diskutimet për reformën e pensioneve, për të cilën tha se tashmë edhe shtetasit e huaj po transferojnë vitet e punës në shtetet ku jetojnë.
Tv Klan