Drejtori i ri i shërbimeve amerikane të zbulimit duket se është zhytur në ujëra politike që në javën e parë në detyrë, duke hequr klasifikimin sekret për dokumente që sipas aleatëve të presidentit mbështesin argumentin e tyre se Michael Flynn, ish-këshilltari i presidentit, u ndoq pa të drejtë penalisht.
Ky vendim i pazakontë për të nxjerrë transkripte të telefonatave të zotit Flynn me ambasadorin rus, është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të bërë publike element dhe të dhëna nga hetimi për kontaktet me Rusinë, me shpresën se do të krijohet bindja që zyrtarë të administratës Obama nuk vepruan në përputhje me rregullat.
Transkriptet e telefonatave me ambasadorin e atëhershëm rus Sergey Kislyak, u japin rastin të dyja palëve për të forcuar argumentet e tyre.
Siç kanë argumentuar prokurorët, duket se transkriptet tregojnë se zoti Flynn i kërkoi ambasadorit Kislyak që Rusia të tregohej e duruar dhe të mos rriste tensionet me SHBA, në përgjigje të sanksioneve të reja amerikane kundër Moskës. Flynn pranoi fajësinë se kishte gënjyer në deklaratat e dhëna FBI-së për këtë telefonatë.
Por republikanët që këmbëngulin se zoti Flynn thjesht po përpiqej të shmangte keqësimin e situatës me Kremlinin menjëherë theksuan se transkriptet tregojnë që s’kishte asgjë të parregullt në këtë telefonatë. Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump e shpalli të pavlefshëm këtë çështje muajin e kaluar duke thënë se FBI-ja nuk kishte arsye për të marrë në pyetje zotin Flynn.
Dokumentet u bënë publike të premten nga republikanët e Senatit pasi u hoq klasifikimi “sekret” nga John Ratcliffe, ish-ligjvënës nga Teksasi, një person i besuar i Presidentit Trump, i cili në fillim të javës bëri betimin si drejtor i inteligjencës kombëtare.
Pararendësi i zotit Ratcliffe, Ambasadori Richard Grenell këtë muaj hoqi klasifikimin sekret për një listë emrash me zyrtarë të zbulimit dhe të administratës Obama, të cilët në fund të 2016 dhe në fillim të 2017 kërkuan të dinë kush ishte një shtetas amerikan, i cili nuk ishte identifikuar me emër në raportet e zbulimit. Siç rezultoi, ai emër ishte Michael Flynn.
Ky proces nuk është i pazakontë në vetvete, pasi “demaskimi” siç quhet procesi i zbulimit të identitetit të një shtetasi amerikan bëhen shpesh me kërkesë të zyrtarëve të autorizuar, por përkrahësit e presidentit kanë këmbëngulur se kërkesa u bë për arsye politike./VOA