Yjet e NFL, Travis dhe Jason Kelce kanë firmosur një marrëveshje tepër fitimprurëse me Amazon, vlera e së cilës flitet të jetë 100 milionë dollarë.
Marrëveshja trevjeçare i jep të drejta ekskluzive multimediale kompanisë Wonder për ‘podcast’-in e famshëm të dy vëllezërve, New Heights.
Dy sportistët thanë se “s’mund të ishin më të emocionuar” pasi ‘podcast’-i është gati për sezonin e tretë. Ata e nisën këtë rrugëtim në vitin 2022 duke intervistuar të famshëm dhe duke folur për jetët e tyre, pa munguar as batutat plot humor mes vëllezërve.
Travis, i cili është tri herë kampion i Super Bowl me ekipin Kansas City Chiefs, ka fituar edhe një bazë të re fansash nga lidhja e tij me yllin e popit, Taylor Swift.
Vëllai i tij 36-vjeçar sapo është tërhequr pas 13 sezonesh me Philadelphia Eagles dhe ka marrë rolin e analistit në kanalin e ESPN.
Marrëveshja shënon një moment të rëndësishëm për formatin pasi fitoi çmimin e ‘podcast’-it të vitit në 2024 iHeartPodcast Awards. Por gjithashtu është e rëndësishme edhe për vetë ‘podcast’-in si zhanër.
Sipas një analize të fundit, numri i amerikanëve që dëgjojnë ‘podcast’-e është rritur me 45% vetëm në 5 vitet e fundit. Një lëvizje e tillë ka ndodhur edhe një Mbretërinë e Bashkuar ndërsa të ardhurat nga reklamat në mbarë botën arrijnë në miliarda dollarë.
Ndryshimi reflektohet edhe në përzgjedhjen e konsumatorit pasi tregon që audiencat e reja po zgjedhin gjithnjë e më shumë ‘podcast’-et sesa televizorin./tvklan.al