Tregtia me jashtë gjatë muajve të parë të 2008-ës ka thelluar më tej hendekun mes importeve dhe eksporteve shqiptare. Gjatë muajit prill importi i mallrave kapi një vlerë prej rreth 300 milion eurosh. Po thuajse aq sa ishte në total vlera e eksporteve shqiptare për 4 muajt e parë të vitit. Me gjithë rritjen prej rreth 29% e eksporteve muajin e kaluar, prapë vihet re se 2 në 3 lekë të eksportuara i takojnë industrisë fasone, pra mallrave me porosi.

Ardian Civici: “Po të shikosh strukturën e eksporteve tona, përtej euforisë së 300 milion eurove që janë rritur. Shikojmë që vetëm 30% e tyre është produkt i pastër që mund të mbajë markën prodhuar në Shqipëri. Pra në një farë mënyre ne e rieksportojmë ato mallra që kemi importuar duke e shtuar vetëm fuqinë punëtore, pra në 70% të eksporteve tona ne eksportojmë vetëm fuqinë punëtore”.

Ndërkaq pjesa tjetër e eksporteve përbëhet kryesisht nga produkte bujqësore.

Selim Belortaja: “Ndërsa raporti i përgjithshëm eksporte-importe për 3 mujorin është ai i viteve me radhë, pra 1 me 4 në favor të importeve sigurisht. Raporti i eksporteve të produkteve bujqësore ndaj importeve të produkteve bujqësore për këtë 3 mujor është mjaft i thellë. Është mbi 11”.

Ekspertët mendojnë se gjatë muajve në vijim, bujqësia do të kontribuojë pozitivisht në uljen e deficitit tregtarë, pasi përkon me periudhën e prodhimeve bujqësore./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro