Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Më pak para të emigrantëve në tregjet valutore. Ky është konkluzioni i ekspertëve për qarkullimin e vlerave monetare, në tregjet e valutës në vend. Emigrantët kanë rritur ofertën për valutë, duke shkaktuar forcim të lekut, por një efekt i tillë sezonal është zvogëluar në krahasim me një vit më parë.

Shkaku ka qenë ulja e numrit të emigrantëve që kanë kaluar kufirin për të pushuar në vendlindje dhe për rrjedhim janë ulur dhe vlerat monetare që sjellin me vete për t’i investuar në vendlindje. Kërkesa për para e turistëve, gjithashtu ka ndikuar në forcimin e lekut. Gjatë kësaj jave, monedha amerikane dollari është forcuar pas raportimeve amerikane për përmirësim të gjendjes ekonomike, pas luftës në Irak, ndërkohë që luhatjet e lehta negative, ka pësuar dollari pas blackout-it amerikan.

Euro nga ana tjetër po njeh rënie të shpejtë të vlerave të saj, për shkak të tregjeve ndërkombëtare dhe efekteve sezonale. Dollari është kuotuar me 119 lekë, ndërsa euro ka rënë në kuotën e 133.5 lekëve në gjatë kësaj jave. Banka e Shqipërisë i ka quajtur normale këtë luhatje të kursit të këmbimit. Ndërkohë që parashikohet që leku të vijojë të forcohet deri në përfundim të sezonit turistik./tvklan.al