Donald Trump premton se që në ditën e parë të presidencës së tij do të vendosë tarifa të larta importi për Kinën, Kanadanë dhe Meksikën.

Qëllimi, siç shkroi ai në një postim në rrjetin social personal Truth, është t’i dëtyrojë këto vende të luftojnë dyndjet e emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara dhe trafikun e drogës.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara paralajmëroi tarifa 25% për të gjitha produktet që hyjnë nga Meksika dhe Kanadaja dhe shtim me 10% të tarifave për produktet nga Kina.

Sipas Trumpit, Kanadaja dhe Kina kanë bërë asgjë për të ndalur dyndjet e emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara. Së bashku me Kinën, ato lejojnë trafikun e drogës dhe hyrjen e jashtëligjshme të fentanilit.

Ndonëse një ilaç i lejuar në Shtetet e Bashkuara për lehtësimin e dhimbjeve, fentanili që hyn edhe ilegalisht kryesisht nga këto vende, përdoret me mbidozim për të krijuar të njejtat efekte si lëndët narkotike.

Vdekjet nga mbidozat e fentanilit në SHBA janë rritur ndjeshëm dekadën e fundit dhe në 2022 arritën rekord me 100 mijë viktima në një vit.

Tv Klan