Lajme Arkiva 2003
Trupat Komando Speciale Shqiptare pjesë e operacionit liria e Irakut kanë mbërritur në Bagdad. Ata kanë udhëtuar nga Kuvajti nga qendra e ambientimit dhe e stërvitjes 15 orë në drejtim të qytetit irakian ku pritet që nesër të marrin detyrat e para të patrullimit dhe të shoqërimit në Bagdad.
Sekretari amerikan i mbrojtjes falënderoi Shqipërinë si një nga vendet e para që kanë ofruar mbështetjen si gjatë luftës edhe tani në vendosjen e paqes në Irak. Kontigjeni shqiptar përbëhet prej 75 trupash të specializuara Komando.
Ata u nisën një javë më parë drejt Kuvajtit pas një ceremonie përcjellëse ndërkohë që 5 të parët kishin mbërritur më herët në një mision rikonicioni. Megjithëse afatet dhe thelbi i misionit të tyre u mbajtën sekret, Klan lajme kishte lajmëruar i pari se mbërritja e tyre në Bagdad ishte çështje javësh dhe se do të mbyllej brenda muajit prill.
Megjithatë fakti që ata mbërritën në Bagdad kaq shpejtë tregon si përgatitjen e tyre të lartë ushtarake ashtu edhe nevojën e koalicionit për tu përfaqësuar në Bagdad me të gjithë flamujt e tij përfshirë edhe atë shqiptar vendit të vetëm me shumicën myslimane që mbështeti luftën në Irak./tvklan.al