Sistemi dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale të vendit, do të jetë prioritet i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në mandatin e  dytë qeverisës. Kështu ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë një  takimi me banorë të fshatit Lubinjë, në Gramsh. Pasi u arrit të ndërtohej dhe rikonstruktohej infrastruktura kombëtare  duke nisur me Rrugën Durrës-Kukës, Lushnje-Fier, Fier-Vlore, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, e shumë akse të tjera , qytetarët do të nxirren nga balta, pavarësisht se ku jetojnë, si kundër,– tha Basha.

Lulzim Basha: “ Të gjitha paratë që qeveria shqiptare do grumbullojë do të orientohen fillimisht dhe kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës rurale të vendit duke filluar me ndërtimin e akseve kryesore që lidhin komunat dhe qendrat e tyre me qytetet dhe akset kombëtare dhe duke përfunduar me lidhjen e çdo fshati madhor me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuara.”

Në këtë mandat, tha Basha, ne ia dolëm duke luftuar krimin dhe korrupsionin, duke dyfishuar pensionet e fshatit, pagat e arsimtarëve, infermierëve e mjekëve. Sipas tij kjo politikë do të vazhdojë  dhe do të jetë lehtësisht e vërtetueshme kur më 1 maj, pensionistët dhe buxhetorët do të tërheqin pagat dhe  pensionet. Reformat e ndërmarra nga kjo qeveri, tha Basha, janë vlerësuar nga personalitet  më të  larta botërore.

Sipas Bashës ato, bënë të mundur anëtarësimin  e Shqipërisë në NATO, aplikimin e vendit për statusin e vendit kandidat ne Bashkimin Evropian. Ndër të tjera në fjalën e tij ministri i Jashtëm theksoi se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj mazhorance, do të  bëhet e mundur heqja e vizave në hapësirën Shengen.

I vetmi vend, ku vazhdohet të abuzohet me pushtetin dhe të përdoret për interesa të ngushta personale, është bashkia e Tiranës, tha Basha, dhe për këtë, ai solli si shembull 19 lejet e ndërtimit që  sipas tij Rama dha për miqtë e tij të ngushtë./tvklan.al