Ndryshimi i formateve të kompeticioneve kryesore të UEFA-s pritet të sjell të ardhura edhe për skuadrat jo pjesëmarrëse. Të ardhurat prej tyre pritet të kapin vlerën 4.4 miliardë euro, teksa ato që dështojnë për tu kualifikuar e që nuk marrin pjesë në garat më prestigjioze do të përfitojnë nga një rritje e paprecedentë prej 76% në pagesat e solidaritetit
Këto fonde të rezervuara për klubet që nuk marrin pjesë në fazën e tre kompeticioneve, kanë arritur në një total vjetor prej 308 milionë eurosh. Bëhet fjalë për një rritje krahasuar me 175 milionë euro për ciklin 2021-2024 dhe rritjen më të ndjeshme të pagesave të solidaritetit që nga prezantimi i tij.
Kampionatet kryesore do të marrin një kuotë fikse vjetore prej 10 milionë euro secila. Shuma totale e disponueshme për klubet jo-pjesëmarrëse në vendet e mbetura do të jetë 258 milionë euro.
Për të siguruar që fondet e solidaritetit të forcojnë themelet e futbollit profesionist evropian, klubet duhet të jenë në gjendje të përmbushin disa kritere të rregulloreve të UEFA-s për Licencimin e Klubeve dhe qëndrueshmërinë financiare.
Shpërndarja e të ardhurave do të bëhet në tre sezone dhe federatat do ta menaxhojnë atë si pjesë e procesit të zakonshëm të licencimit të klubeve.
Klan News