Me një paraqitje për tu mbajtur mend, Milan regjistroi fitoren e dytë radhazi në Champions League. Një rezultat i jashtëzakonshëm kundër Real Madrid, si për nga prestigji, ashtu edhe për ecurinë e tyre në kompeticion. Skuadra e Fonseka ka lënë pas ndeshjet e vështira dhe e pret një kalendar më i lehtë në rrugën drejt raundit tjetër. Ecuri që reflektohet edhe në financa. Deri më tani, Milan ka përfituar rreth 45 milionë euro.
Peshën kryesore e luan pjesëmarrja, nga e cila, kuqezinjtë kanë marrë 18.6 milionë euro. Edhe bonuset për rezultatet në fushën e lojës janë të larta në krahasim me sezonet e shkuara. Nga dy fitoret, Milan ka marrë 4.2 milionë euro, ndërsa në llogaritë e fitimeve nuk përfshihen ende të ardhurat nga shitja e biletave apo edhe shitja e të drejtës televizive.
Shifra që natyrisht, te Milani besojnë se do të rriten, pasi në takimet e radhës të Champions League do masin forcat me rivalë si Slovan Bratislava, Dinamo e Zagrebit, Cërvena Zvezda dhe Zhirona. Momentalisht, gjiganti italian është në mesin e renditjes së përgjithshme, me 2 fitore e 2 humbje për të qenë kandidat potencial për pjesën e lartë të renditjes.
Klan News