Ukraina goditi me dronë mëngjesin e kësaj të shtune qytetin rus të Kazanit. Qyteti që ndodhet mbi 1 mijë kilometra nga vija frontit, u sulmua nga të paktën 8 dronë, të cilët ranë në godina banimi dhe objekte industriale, por nuk u raportuan viktima.

Pas sulmeve, fluturimet u pezulluan në aeroportin e Kazanit dhe të gjitha aktivitetet masive të planifikuara për fundjavë u anuluan. Një ditë më parë, forcat ukrainase përdorën raketa amerikane me reze të gjatë veprimi për të goditur rajonin e Kurskut në Rusi duke lënë pas 6 viktima, mes të cilëve edhe një fëmijë.

Vala e sulmeve ukrainase ndaj Rusisë vjen pas asaj që ndodhi të premten në Kiev, ku nga sulmi me raketa balistike ruse u vra 1 person dhe u plagosën 13 të tjerë. Nga sulmi u dëmtua edhe Ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin ukrainas që fatmirësisht nuk shënoi të lënduar. Të dëmtuara mbetën edhe 5 seli të tjera diplomatike.

Moska tha se goditja e Kievit ishte një hakmarrje për një sulm ukrainas në territorin rus në fillim të javës ku u përdorën armë të prodhimit amerikan. Forcat ruse lëshuan 113 dronë ndaj Ukrainës gjatë natës, por ato u rrëzuan, ose u neutralizuan në ajër.

Presidenti amerikan në detyrë, Joe Biden autorizoi muajin e kaluar Kievin të përdorë raketat amerikane për të goditur brenda territorit rus duke shkaktuar një reagim të ashpër të Moskës.

Tv Klan