Kryeministri Edi Rama e quan uljen e çmimit të energjisë elektrike një nga arritjet më domethënëse të qeverisjes së tyre, uljen e parë në historinë e 35 viteve. Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Kryeministri Rama thotë se kjo është një masë më shumë se sa e mirëmenduar.
Edi Rama: Sot do të ndajmë me publikun një arritje që është nga më domethënëset e qeverisjes tonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt që na mbush me shumë krenari po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë. Ulja e çmimit të energjisë elektrike në kohën e sotme në kundërtendencë me rajonin ku çmimet e energjisë janë rritur dhe janë kërcënuar nga rritje të tjera. Kjo është një masë më shumë se sa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjithë nivelet me ekspertizë, e bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e energjisë dhe kthimin e Shqipërisë në eksportues neto të energjisë brenda mandatit tonë të 4 dhe për të ndarë me qytetarët frutet e reformave të dhimbshme dhe frutet e një rritje ekonomike që për 2025-ën e shohim në harkun e 4% që është nëj shifër shumë domethënëse.
Më tej, Kryeministri Rama thotë se Shqipëria, 10% të prodhimit të saj energjetik e ka nga dielli.
Edi Rama: Kini parasysh disa fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe portale sepse janë shumë të interesuara për spektaklin e gjysëm të vërtetave. E para, Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire të shqyer që gjetëm ku gjysma nuk paguante energjinë, është jo vetëm e para në rajon për vetëprodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti. Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private, familjarë apo biznese. 3 vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në të gjithë sektorin energjektik të Europës lufta në Ukrainë. Sot, Shqipëria, 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë, e kishte 0, sot e ka 10% dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversifikimin e portofolit në funksion të kthimit të Shqipërisë në eksportues neto të energjisë.
Sjellim në vëmendje se ditën e sotme, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë. Çmimi i ri i energjisë ulet nga 9.5 Lekë në 8.5 Lekë për konsumin 700 KWH, pra ulet me 1 Lek. Ndërsa për konsumin mbi këtë fashë tarifa do të jetë e pandryshuar, 9.5 Lekë./tvklan.al