Anuela Ristani, të cilës i janë deleguar detyrat e kryetarit të Bashkisë Tiranë, ka mbajtur fjalën e saj në ceremoninë e organizuar me rastin e 105-vjetorit te shpalljes së Tiranës, Kryeqytet i Shqipërisë.
Në nisje të fjalës së saj, Ristani ka folur për kryebashkiakun Veliaj, për të cilin ka thënë se ka ndarë me ta misionin e skuadrës teksa ka shtuar se duhet ta bëjnë Tiranën që të shkëlqejë dhe më shumë.
Më tej, Ristani është shprehur se do ta rimarrim ritmin e humbur dhe goditja e befasishme, referuar arrestimit të Veliajt, nuk do i hutojë.
Anuela Ristani: Jo 5, por 500 të kishim qenë në këtë podium nuk do e kishim mbushur atë boshllëk që të gjithë ndiejmë. Në më shumë se 1 dekadë pune intensive, ajo që na ka bashkuar nuk përputhet aspak me atë që kemi dëgjuar në 24 orëshin e fundit. Ne na duket sikur jemi në një ëndërr të keqe dhe do të zgjohemi në atë sallë ku ishim dje në mëngjes. Por Tirana është më e madhe se ne, është më e madhe se sa puna jonë. Kushdo qofshim ne, është puna ajo që ngelet pas dhe del në pah.
Në fund del në pah dhe e vërteta. Detyra jonë këtu sot si punonjës dhe i gjithë stafit të Bashkisë Tiranë që ka ndarë me ne misionin e kësaj skuadre, është të vazhdojmë ta bëjmë Tiranën të shkëlqejë dhe më shumë dhe me ndihmën e Kryeministrit që i jemi shumë mirënjohës. Ai ka qenë me ne në këto orë të vështira. Ne do ta rimarrim ritmin e humbur dhe goditja e befasishme nuk do të na hutojë, por do të na motivojë akoma dhe më shumë. Tirana mbetet simboli i shpresës dhe i transformimit.
Në fjalën e saj, Ristani ka përmendur arritjet dhe projektet e Bashkisë Tiranë. Deri më sot, Ristani ka mbajtur postin e zv.kryetares së bashkisë kryeqytetase. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama./tvklan.al