UNESCO ka ndezur dritën jeshile për pranimin e pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore. Lajmi konfirmohet nga Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili në një konferencë për mediat tha se dikasteri i drejtuar prej tij ka plotësuar një sërë kushtesh që kanë të bëjnë me monitorimin e cilësisë së ujërave dhe të faunës së këtij liqeni.

Lufter Xhuveli: “Përgjigje pozitive që ka ardhur nga UNESCO në lidhje me përfshirjen e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore. Shqipëria ka plotësuar tashmë një sërë kushtesh që lidhen me përmirësimin e cilësisë mjedisore të mbrojtjes së Liqenit të Ohrit dhe të përmirësimit të cilësisë së ujërave të liqenit të Ohrit. Dhe që janë konkretisht monitorimi i vazhdueshëm gjithëvjetor i cilësisë së ujërave, i karakteristikave kimike, mikrobiologjike dhe biologjike të ujërave të liqenit të Ohrit, i monitorimit të cilësisë së faunës ujore të Liqenit të Ohrit”.

Sipas ministrit Xhuveli fillimi nga puna i impiantit të përpunimit të ujërave të zeza të Pogradecit dhe Tushemishtit që dikur derdheshin në liqen, bënë të mundur që edhe pjesa shqiptare ashtu si ajo maqedonase të jetë në listën e trashëgimisë botërore. Përveç Liqenit të Ohrit në këtë listë është dhe qyteti muze i Gjirokastrës, parku kombëtarë i Butrintit si dhe qyteti 2400 vjeçar i Beratit.

Liqeni i Ohrit është një nga më të mëdhenjtë e gadishullit ballkanik dhe një nga më të vjetërit në botë. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri në 5 milion vjet. Karakteristik e tij është se ndotet 695 metra mbi nivelin e detit. Ky pellg ujorë zë një sipërfaqe prej 349 km/2 dhe shtrihet në territorin e 2 shteteve Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Liqeni mendohet të jetë krijuar nga shembjet e vazhdueshme të tokës. Këtë e vërtetojnë aktivitet e shumta tektonike si dhe ekzistenca e një mali prej 100 m në nivelin e basenit, thellësia e tij arrin deri në 289 m.

Liqeni i Ohrit është shtëpia e shumë kafshëve endemike që vijnë vetëm në ujërat e tij. Në të rriten 40 specie të rralla ndër më të njohura peshku i koranit dhe belushka. Shtrirja në bregun liqenore e 3 qyteteve të mëdha si Ohri e Struga në Maqedoni, si dhe Pogradeci në Shqipëri. Përveç bukurisë natyrore i ka kthyer ato në resurse të mëdha turistike për të 2 vendet./tvklan.al