Sipërfaqet e gjelbërta dhe të mbrojtura nga shteti janë dyfishuar në periudhën 2005-2009 ashtu siç ishte premtuar.
Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, gjatë inspektimit të një fidanishteje të re në parkun kombëtar të Dajtit.
Lufter Xhuveli: “Pas dyfishimit të sipërfaqes së zonave të mbrojtura dhe të parqeve kombëtare jemi futur tani në një fazë të re, në atë të përmirësimit të gjendjes së parqeve të zonave të mbrojtura. Për këtë kemi filluar një aktivitet tjetër që ka të bëjë me prodhimin e fidanëve autoktonë për të përmirësuar dhe situatën e parqeve. Këtë vit do të prodhohen 450 mijë fidanë pyjorë”.
Fidanishtja e përbërë kryesisht nga pisha të zeza i përshtatet ekosistemit dhe klimës së kësaj zone.
Ajo i shtohet dhe tetë të tjerave të krijuara kohët e fundit në rrethe të ndryshme të vendit që nga Vlora deri në Shkodër./tvklan.al