Universiteti i Tiranës ka nderuar duke iu dhuruar stemën simbol të këtij institucioni katër akademikëve, të cilët dolën fitues në garën elektorale të zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Et’hem Ruka, Besnik Bare, Vasilika Hysi dhe Mark Marku, pedagogët në universitetin shtetëror janë uruar për detyrën e re, nga kolegët tyre dhe rektori i universitetit të Tiranës, Dhori Kule. 

Dy prej profesorëve tashmë deputetë shprehen se do të ngrenë fortë zërin e tyre në parlament për arsimin në mënyrë që ai të arrijë standardet evropiane.

Vasilika Hysi: “Të gjithë së bashku ne duhet të lobojmë për problemet që ka arsimi i lartë. Konkretisht është për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Masivizimi që i është bërë arsimit të lartë nuk do të thotë që ne duhet të prishim cilësinë e arsimit. Është vlerësimi që do t’i japim universiteteve, pra akreditimi i tyte dhe renditja e tyre sipas pikave, siç i kanë të gjithë universitetet. Shumë e rëndësishme është krijimi i kushteve për të gjithë studentët që të marrin një arsim të barabartë. Kur them arsim të barabartë është krijimi i lehtësirave për studentët që të shkollohen, të arsimohen në përputhje me standardet”.

Mark Marku: “Pra praktikisht kemi një sistem, i cili nuk është, si me thënë nuk i përshtatet si duhet as nevojave të tregut, as konkurrencës së sistemit ndërkombëtar arsimor, pra jemi, është një sistem ende i pa, që nuk është në nivelin e sistemit të ndërkombëtarëve. Reforma synon një ngritje cilësore në kuptimin e kurrikulave dhe të stafit të pedagogjisë”.

Por edhe pse do të jenë të angazhuar në politikbërje, katër akademikët nuk do të shkëpusin lidhjen me auditorët, prej nga edhe kanë nisur karrierën e tyre./tvklan.al