#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Opinion u fokusua këtë të enjte tek zhvillimet e opozitës. Në studio ishte Gazment Bardhi, fillimisht me një intervistë të shkurtër dhe më pas në një debat lidhur me rrugën që po merr opozita.
Që nga burgosja e Ervin Salianjit, opozita ka nisur një strategji të re, ndonëse aktet e ditëve të fundit duken si një rikujtesë e asaj të disa muajve më parë. Çfarë do ndodhë me opozitën?
Ka një lloj paqartësie, pasi ka deklaruar që me Edi Ramën se nuk mund të ketë zgjedhje të lira, thonë se do të qëndrojnë në zgjedhje, flitet për mosbindje civile. Por aktet njëri pas tjetrit mbeten kryesisht të izoluara brenda parlamentit pa pasur një mbështetje publike. Por cila është strategjia e opozitës, çfarë do bëjë ajo?
Gazetari Blendi Fevziu kishte rezervuar edhe një sërë pyetjesh që lidheshin drejtpërdrejtë me Bardhin, si incidenti me Spiropalin, SMS-ja kërcënuese ndaj tij, përballja me Ramën në distancë menjëherë pas burgosjes të Salianjit, si dhe deklarimi i tij se disponon të gjitha bisedat në SKY ECC.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ishte i ftuar këtë të enjte në “Opinion”. Ai foli për disa përgjime të Sky ECC të cilat sipas tij provojnë lidhjen mes eksponentëve të rëndësishëm të mazhorancës socialiste dhe krimit të organizuar për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë apo Policinë e Shtetit.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se për çfarë përgjimesh bëhen fjalë, Bardhi tha se “bëhet fjalë për të dhëna që nuk janë publikuar deri më tani për faktin e thjeshtë sepse mbrohen nga sekreti hetimor”.


“Del e provuar se si eksponentë të rëndësishëm të mazhorancës jo vetëm bashkëpunojnë, të nivelit shumë të lartë, anëtarë qeverie mes tyre patjetër, se si ndihmojnë eksponentë tashmë publikë dhe të provuar nga SPAK të krimit të organizuar në çështjet që ata kanë me drejtësinë. Ndërhyjnë në prokurorë, në punonjës të policisë”, shtoi Bardhi.

Ai tha se nuk i ka publikuar këtë të dhëna, të cilat sipas tij edhe SPAK i disponon, për t’i lënë prokurorisë kohën e nevojshme që të bëjë punën e saj. Por nëse prokuroria nuk vepron, Bardhi tha se të dhënat do të publikohen për shkak të interesit të lartë publik që kanë.

“Të jeni të sigurt që të dhënat do të bëhen publike sepse prevalon interesi publik. Nëse ka në këtë vend prokurorë që duan të fshehin lidhjet mes krimit dhe qeverisjes, faktin që eksponentë të rëndësishëm me pushtet në Shqipëri ndihmojnë apo ndërhyjnë për të ndihmuar eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar që atyre të mos i cënohet fjala vend pasuria kjo përbën çështje me interes publik dhe unë jam në politikë për të mbrojtur interesin publik. Po i jap kohën e nevojshme prokurorisë për të bërë detyrën e vet. Dua që institucionet të funksionojnë sipas rregullave të këtij vendi. Nëse dështojnë të përmbushin misionin e tyre unë do të përmbush misionin si përfaqësues i qytetarëve”, tha Bardhi.

E tashmë pyetja lind se sa kohë do i japë Bardhi SPAK-ut para se t’i publikojë të dhënat. Fillimisht ai shprehu bindjen se prokuroria do të veprojë dhe se nuk ka një afat të caktuar për këtë gjë. Megjithatë theksoi se prokurorisë nuk i duhen shumë që të lexojë ato që ka përpara.

Nëse SPAK i duhet një vit që të lexojë atë që ka, do marr mesazhin patjetër që këtu ka një tentativë të  qartë nga prokuroria për ti fshehur këto të dhëna”, tha Bardhi.

“Bum” reagimesh në rrjet, Fevziu sqaron videon e celularit: Më kanë ardhur mbi 300 mesazhe…

Gazetari Blendi Fevziu ka sqaruar në nisje të “Opinion” një video të bërë virale nga emisioni i së Mërkurës. Te kjo video, Arlinda Muja nga Shoqata e Mikrokredive Shqiptare tha se është e mundur të merret me këste një celular dhe në fund të paguash po aq sa çmimi fillestar, pra pa normë interesi. Këtë të fundit sipas ekspertes e shlyen dyqani që ka marrëveshjen me institucionin kredidhënës.

Videoja nga emisioni i datës 2 Tetor 2024:


Por një gjë e tillë sipas institucioneve për mikrokreditë vlen vetëm për disa lloje celularësh. Kështu, Fevziu sqaroi këtë ‘konfuzion’ duke marrë parasysh edhe bumin e reagimeve në rrjetet sociale.


“Dua të kërkoj një lloj ndjese edhe pse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me mua. Gjatë emisionit të djeshëm kur kemi folur për mikrokreditë, kreditë konsumatore…Gjatë një pyetje që unë kam bërë për pagesën me 0 interes përshembull të shumë prej mallrave që mund të blihen përmes kredive konsumatore, unë mora shembull celularin. Pyeta a është me 0 interes celulari? Kam marrë një përgjigjie nga zonja që ishte në studio. Kjo video ka marrë rreth 1 milion shikime në Instagram e 600 mijë shikime në Tik Tok deri tani. Unë në celularin tim personal kam pasur mbi 300 mesazhe, ndërkohë mund të futeni te komentet dhe të shihni se ka me mijëra mesazhe të tjera që pretendojnë se nuk është e vërtetë. Me të parë reagimet, emisioni ka bërë një kërkesë te institucionet e mikrokredive për të dhënë një shpjegim të saktë.

Në fakt, institucionet e kreditimit të konsumatorit më thanë se kjo vlen vetëm për një numër të limituar celularësh, kryesisht ata të prodhimeve më të vjetra, pra që nuk janë të fundit. Ndërsa për celularët e ri në treg asnjë prej celularëve nuk ofrohet falas, ka nga 1.9 deri në 3.4% interes. Ndërsa për mallra të tjerë, ku marzhi i fitimit është i madh interesi është 0. Te celulari nuk është 0!”, tha Fevziu.

Zgjedhjet po afrojnë, cili është “skenari” i PD? Bardhi: Na kanë detyruar të…

“Kërkesa themelore e opozitës është krijimi i qeverisë teknike për një periudhë të caktuar para zgjedhjeve”, kështu u shpreh kreu i grupit të PD Gazment Bardhi sonte në studion e “Opinion”.


Sipas tij ky aksion i së djathtës ndryshe nga herët e tjera vjen në disa drejtime. Bardhi theksoi se Partia Demokratike nuk i shmanget më zgjedhjeve dhe se tensionet e fundit në Kuvend kanë ardhur të detyruara nga mazhoranca.

-Bardhi, çfarë do me thënë mosbindje civile? Çfarë skenari keni? Se këtë që po bëni në Parlament keni një vit rresht, thoni që me Ramën s’ka zgjedhje, nga ana tjetër po shkoni drejt zgjedhjeve.

Gazment Bardhi: Këto veprime nuk janë zgjedhje jonë, janë akt i detyruar nga sjellja e palës tjetër, sikundër beteja për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po themi, reagimi nuk është zgjedhje jona, është rrugë në të cilën na ka detyruar të futemi kundërshtari ynë politik që ka asgjësuar zgjedhjet në vend. Padyshim që strategjia që do ndjekë PD ndryshe nga e shkuara, nuk do jetë vetëm në një drejtim.

-Po çfarë do bëni?

Gazment Bardhi: Rezistenca apo reagimi? Paralelisht me këtë partia ka hyrë në procesin e vet të përgatitjes për zgjedhje, organizimi elektoral i strukturave të partisë…

-Pra do hyni në zgjedhje me Ramën?

Gazment Bardhi: Patjetër!

-Do ua vjedhë Rama prapë domethënë?

Gazment Bardhi: Ne do luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-Keni një skenar konkret?

Gazment BardhiNjë pikë e gjithë aksionit opozitar ka qenë krijimi i qeverisë teknike për të garantuar barazinë e palëve në zgjedhje.

/tvklan.al