SPAK i nis kërkesën Interpolit, pas shkresës nga Policia e Shtetit për pamundësi arrestimi
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar. Ishte Policia e Shtetit e cila iu përgjigj SPAK me anë të një shkrese për pamundësinë e ekzekutimit të masës së sigurisë arrest në burg. Sipas policisë, nga kontrolli i banesave dhe verifikimi i sistemit TIMS që tregon se Ahmetaj ndodhet jashtë vendi, është i pamundur arrestimi. Pas përgjigjes së Policisë së Shtetit, Prokuroria e Posaçme iu drejtua me një kërkesë Interpol Tiranës, për të vijuar me procedurat ndërkombëtare.
“Interpol Tirana do t’i drejtohet agjencive të huaja ligjzbatuese, partnerë të Shqipërisë, për lokalizimin dhe arrestimin e ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj”.
Të parëve që do u dërgohet urdhri për lokalizimin e Ahmetajt, janë autoritetet e Britanisë së Madhe, me të cilët Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi. Vetë avokatët mbrojtës të ish-zv/kryeministrit kanë deklaruar se ai ndodhet pranë familjes në Londër.
Krahas urdhër arrestit për Ahmetaj, Gjykata e Posaçme firmosi edhe dy vendime në ngarkim të tij. Togat e zeza lejuan kontrollin e banesave të tij dhe të afërmeve dhe sekuestrimin e pasurive për llogari të hetimeve.
Pak ditë më parë, Byroja Kombëtare e Hetimit kontrolloi 7 banesa dhe sekuestroi 6 pasuri në pronësi të Arben Ahmetajt dhe familjarëve, nga të cilat 4 banesa dhe 2 llogari bankare në vlerën e 124 mijë eurove.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë tre akuzat që janë: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-zv/kryeministrin se ka marrë përfitime të drejtpërdrejta e të tërthorta për koncesionet e 3 inceneratorëve, nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Klan News