Menjëherë pasi vrau bashkëmoshatarin 14-vjeçar pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, autori i dyshuar postoi një foto në Snapchat me grushtin lart. Sot ai është arrestuar ndërsa një tjetër i përfshirë në ngjarje është i plagosur dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Aktivistja Suela Koçibellinj e komenton këtë ngjarje në “Rudina” në Tv Klan si reflektim urrejtjeje. Ajo shprehet se një adoleshent nuk e kupton vlerën e jetës, por ka grumbulluar dhe mbartur urrejtje që nuk është kuptuar nga askush. Koçibellinj shton se është e nevojshme që të ndërhyhet edhe te autori i dyshuar sepse është njësoj i dëmtuar nga kjo tragjedi.
Suela Koçibellinj: Mendimi i parë është e tmerrshme. Nënë unë, nënë ti, mendimi të shkon te nëna. E shkreta ajo! Dhe patjetër vjen pastaj mendimi i dytë që themi pse kaq shumë urrejtje? Pra ne kemi këtë urrejtje sepse reagimi mbrapa i djalit në video tregon çfarë urrejtjeje të akumuluar ka ky fëmijë që nuk e ka shkarkuar edhe me këtë akt kriminal. Unë e kuptoj që një adoleshent nuk e kupton as vlerën e jetës dhe as dhimbjen e vdekjes, nuk e kupton një adoleshent, por gjithsesi gjithë kjo urrejtje e mbartur, gjithë kjo revoltë e mbartur dhe e pashkarkuar, e pazbuluar, e pamonitoruar, e pambështetur ndoshta nga prindërit, nga mësuesit, nga shokët, nga shoqet, nga komshia… pra asnjëri nuk e paska kuptuar gjithë këtë urrejtje? Urrejtja kuptohet, kuptohet në fjalë, urrejtja kuptohet në sjellje, urrejtja kuptohet në shikim.
Pra kjo urrejtje kishte nevojë të monitorohej, kishte nevojë të zbutej, kishte nevojë të ndërtoheshin edhe njëherë mekanizma të ndryshëm bashkëpunues mes dy të rinjve të cilët potencialisht të dy mund t’i kishin rrezikuar jetën njëri-tjetrit, pra të dy mund të kishin bërë këtë krim, fati ishte i njërit, ngushëllime për familjen, fati i keq ishte i atij që të humbte jetën, por jam e bindur që edhe fëmija që ka kryer krimin është po njësoj i dëmtuar. Ai merr frymë, por në psikologjinë e tij, në gjendjen e tij emocionale ai sot nuk e kupton si adoleshent, por ai ka një gjurmë aq të thellë brenda vetes së tij që nëse nuk ndërhyhet dhe burgu sigurisht do e dënojë, në aspektin penal ai do të dënohet, por nuk do e rikuperojë. Ai fëmijë ka po ashtu njësoj nevojë për të ndërhyrë tek ai të paktën në këtë moment dhe sigurisht për ne është alert, duhet ndërhyrë te të gjithë, të mos na rrezikohen fëmijët te dyert e shkollave./tvklan.al