Gazetarja Eneida Xhelili, e ftuar në “Rudina” në Tv Klan tregon se e ka të përjetuar nga afër tragjedinë e vrasjes së 14-vjeçarit në Tiranë pasi vajza e saj ndjek po ashtu shkollën “Fan Noli”. Ajo tregon se e bija është marrë pak para se të ndodhte ngjarja, por për të alarmante është indiferenca për të ndihmuar.

Xhelili tha se sot nuk duhej të ishte ditë mësimi, por proteste ku të gjithë bashkë, prindër e mësues të kërkonin mbrojtje për fëmijët. Ajo shtoi se ata ndihen të pasigurt ndërsa nuk ka ende hapa konkretë për zgjidhjen e ngjarjeve të tilla shqetësuese e tragjike.

Eneida Xhelili: Vajza ime është marrë dy minuta përpara se të ndodhte ngjarja që e panë fëmijët e tjerë dhe po prisnin të vinin ose t’i merrnin prindërit ose t’i  hipnin furgonit. Aty gjithçka ka ndodhur midis orës 13-13;05 minuta dhe ajo që është vënë re, është vënë re indiferenca nga të gjithë. Kjo tregon që jemi një shoqëri që kemi shumë pak dashuri për njëri-tjetrin. Tregon që institucionet tona kanë rënë, ka rënë drejtësia, ka rënë arsimi, ka rënë shëndetësia dhe këto tri shtylla e nxorën kokën dje, nuk është hera e parë që e kanë nxjerrë kokën dhe po na formojnë personalitete të deformuara të fëmijëve tanë dhe fëmijë të dhunshëm që edhe prindërit shpeshherë e pranojnë vetë që nuk i kontrollojmë dot, nuk i menaxhojmë dot, nuk i orientojmë dot. Gjithçka fillon që këtu brenda në bark. Ne na duket sikur edhe fëmija që është 9 muaj brenda barkut të nënën nuk kupton. Të gjitha i kupton, kur ne i këndojmë, kur ne i flasim, kur ne i dedikojmë fjalë të ëmbla, ndien marrëdhënien babi me mamin si shkojnë me njëri-tjetrin, ka apo s’ka bashkëpunim në familje.

Më lejoni që të them diçka dhe me keqardhje të madhe. Unë nuk jam nga ata prindër që jam partizane për të gjetur sebep dhe të mos zhvillohet një orë mësimi ose të mos zhvillohet një ditë mësimi. Sot nuk mund të kishte mësim. Sot për mendimin tim duhet të ishte një protestë. Ne prindërit, mësuesit dhe kush të mundte duhet të zinim derën e parlamentit, atë derën e kryeministrisë, atë derën e bashkisë, atë derën e Drejtorisë Arsimore se nuk kemi lënë ngjyrë, emër politikani pa dalë në shesh, janë vrarë në shesh, janë vrarë edhe njerëz, fajtorët ende nuk janë gjetur,ende nuk janë dënuar, ndërkohë që nuk dalim për fëmijët tanë. Ndoshta, ato fjalët e mëdha, projekte, strategji vepruese na kanë lodhur. Ne duhet të shohim mekanizma veprues.

Nuk mundet që një shkollë si “Fan Noli” me 1500  nxënës të ketë një oficer sigurie, është e pamundur. Nëse bëhemi të gjithë bashkë dhe kërkojmë atë që vërtet na takon sepse paguajmë taksa, sepse kur fëmija yt të thotë “mami, kam frikë të shkoj në shkollë, nuk e ndiej veten të sigurt në shkollë”. Ti përpiqesh t’ia bësh më optimiste situatën, kur ajo kthehet nga mësimi faktet flasin ndryshe. Çfarë mund t’i thuash fëmijës tënd? Vetëm ta mbash me të mira dhe të mundohesh t’ia zbusësh atë që ajo thotë por s’mund ta gënjesh sepse fëmijët në shumë situata janë më të zgjuar se ne, dinë të na vënë me shpatulla pas muri. Nuk po shohim hapa konkretë sesi ne mund ti zgjidhim gjërat dhe kjo e ka çuar popullin shqiptar në indiferencë./tvklan.al