Momenti kur fëmija kërkon të ketë një celular dhe koha e duhur për t’ia dhënë është një nga dilemat më aktuale të prindërve. Diskutimi shtrihet nga nevoja dhe domosdoshmëria për të komunikuar me fëmijën përgjatë ditës te frika për rreziqet e lundrimit në internet apo rrjetet sociale, ndikimi në zhvillim, nxënien e mësimeve dhe shpenzimin e kohës.
Gazetarja Dasara Karaiskaj nuk qëndron midis ekstremeve. Gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ajo tregon se vajza e saj 8-vjeçare ka qenë e ekspozuar ndaj celularit që në moshë të vogël.
Dasara Karaiskaj: Kam një eksperiencë krejtësisht tjetër për shkak se vajza ime i ka të gjithë jashtë, gjyshërit nga të dyja anët, edhe të atin tashmë kështu që është detyruar qëkur ka lindur, pra është një eksperiencë tjetër kjo imja duke qenë se që 1 vjeçe, 2 vjeçe për shkak se gjyshërit kishin mall unë drejtoja telefonin që ta shikonin vajzën kështu.
Sipas gazetares, zgjidhja ka qenë monitorimi i faqeve që vajza frekuenton përmes filtrave të kërkimit të përcaktuar prej prindërve. Dasara shton se teknologjia mundet edhe të të mësojë gjëra por prindi duhet të jetë aty për t’ia shpjeguar fëmijës siç ajo ka vepruar kur vajza ka shprehur edhe dëshirën për ë pasur një Instagram apo kanal Youtube.
Dasara Karaiskaj: Ka filluar të kuptojë sesi është të bësh një koment sepse shkoi në shkollë, mësoi të lexonte dhe dëshironte që të bënte komente. Aty ndërhymë përsëri unë, mamaja ime që t’i mësonim se komentet nuk bëhen kaq kollaj, je e vogël, kam punuar në mënyrë sistematike për ta mësuar se cila është… ose kur ka kërkuar dhe ka parë nga unë sepse unë e kam punën të lidhur edhe me Instagram-in dhe ka pasur dëshirën që të ketë një Instagram të sajin ose me modelet që jepen sot të fëmijëve që duan të kenë kanalin dhe të bëhen të famshëm etj, me gjëra të kësja natyre, jam përpjekur t’i shpjegoj që jo gjithmonë është mirë sepse ka këtë anën tjetër, ti nuk mund të kesh një Instagram sepse të shkruajnë disa njerëz që jo gjithmonë janë të mirë por ka edhe njerëz negativë që ndikojnë dhe ajo e ka të qartë sepse panorama i është bërë e qartë duke komunikuar çdo ditë.
E bindur se deri më tani e ka gjetur “mesin e artë”, gazetaren e frikëson vetëm diçka në këtë epokë teknologjie.
Dasara Karaiskaj: Fëmijët nuk kanë lirinë që kanë pasur dikur. Vajza ime nuk del të luajë poshtë pallatit, është shumë prezente përballë meje. Argëtimet e saj janë kur unë zgjedh ta çoj të argëtohet diku. Unë e nxjerr në natyrë, fëmijët me të cilët luan janë fëmijët e shoqërisë time, pra unë kam zgjedhur shoqërinë, për rrjedhojë e di si janë edukuar ata fëmijë. Ka një kontroll që ndonjëherë, gati-gati, edhe pse më kënaq për disa gjëra bëhet i tepruar sepse ne vërtet kemi luajtur ashtu siç kemi luajtur, ishim më naivë, nuk kishim ndoshta zgjuarsinë që kemi sot, por edhe frika ishte më e vogël dhe e përballonim jetën. Kam frikë për këtë brez që po rrisim ne që do të bëhen më të dobët se ç’kemi qenë ne./tvklan.al