Bino: Asnjë shqetësim tek personat që e kanë injektuar
130 mjekë të dy spitaleve Covid dhe epidemiologë të kryeqytetit kanë injektuar vaksinën antiCovid në dy ditët e para të këtij procesi. Sipas shefes së departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, deri më tani asnjë prej këtyre personave nuk ka shfaqur efekte anësore pas injektimit të kësaj vaksine.
“Vaksina ka efekte anësore të cilat shfaqen zakonisht pas dozës së dytë. Efektet anësore të vaksinës janë një temperaturë që mund të shkojë deri në 38, dhimbje muskulare dhimbje kyçesh, dobësi. Zakonisht këto simptoma zgjasin vetëm dy ditë”, tha Silva Bino.
Ekspertët thonë se mbrojtja krijohet që me dozën e parë, por deri atëherë duhet bërë kujdes.
“Mbrojtja më e lartë është pas dozës së dytë, megjithëse kemi një mbrojtje 70 deri në 80% pas dozës së parë fillim i mbrojtjes fillon pas javës së dytë”, u shpreh Bino.
Shqipëria ka përcaktuar që do të kryejë vaksinimin me skenarin e dy dozave me 3 javë ndërmjet njëra-tjetrës.
“Njerëzit do vaksinohen me dy doza dhe dozat i kemi të ruajtura për këta persona që të kenë mbrojte të plotë”, tha Bino.
Vaksina ka ende pikëpyetje mbi efektin që do të ketë në parandalim e kalimit të virusit nga një person tek tjetri.
“Vaksinimi sot njihet në lidhje me parandalimin e vdekshmërisë dhe parandalimin e uljes së peshës në spitale. Aktualisht nuk kemi të dhëna të sakta në lidhje me transmetueshmërinë, pra sa e ndalojnë transmetueshmërinë në publik”.
Por kush mund ta bëjë e kush jo këtë vaksinë?
“Personat që kanë kaluar Covid mund ta injektojnë vaksinën sepse e para nuk e dinë nivelin e mbrojtjes dhe ne s’e dimë se sa të mbrojnë këto kundërtrupa. Njerëzit që kanë alergji nga produktet kozmetike merren në konsideratë”, tha ajo.
Vaksinat antiCovid po mbahen në kushtet e ngrirjes në Institutin e Shëndetit Publik. Ajo transportohet në mjediset e stadiumit ku po kryhet procesi në temperaturën plus 2 deri ne plus 8 gradë. Pas hapjes së flakonit ai reziston deri në 2 orë në temperaturën e ambientit dhe 5 orë nëse ruhet në kushte frigoriferike plus 2 plus 8 gradë.
Tv Klan