Lajme Arkiva 2003

Zgjidhja përfundimtare e ujësjellësit të Bovillës do të mbetet në letër për aq kohë sa do mungojë vullneti i mirë i qeverisë për të shmangur problemet e ujit të pijshëm.

Ky është konfirmimi që vjen nga burime zyrtare të ministrive përgjegjëse që kryesuan një vit më parë grupin e punës për problemin Bovillës, të cilat pohojnë se çështjet e pazgjidhura kanë mbetur në mes sepse ka mungesë fondesh.

Ministria e Mjedisit që kryesoi grupin e punës pohon se pas shkrirjes së këtij grupi nuk i takon më asaj të merret me çështjen e ujësjellësit të Bovillës pasi në lojë janë edhe disa ministri të tjera të cilat përgjigjen drejt për së drejti si për brezin sanitar ashtu edhe për shpërnguljen e banorëve.

Në Ministrin e Rregullim Territorit dhe Turizmit burimet zyrtare pohojnë se për këtë punë po punohet por nuk japin shpjegime pse nuk është kryer rrethimi i brezit sanitar.

Ndërsa në Ministrinë e Pushtetit Vendor, konfirmohet se çystja e shpërnguljes së banorëve të Bovillës duhet të përfundoj më parë në Bashkinë e Krujës, në prefekturën e rrethit të Durrësit dhe më pas të aprovohet nga ministria pasi të tilla janë procedurat ligjore.

Megjithëse hapat janë të qartë kjo punë ende nuk ka nisur, pasi afati përfundimtar i shpërnguljes së banorëve është viti 2003. Ndërkohë qeveria nuk ka miratuar asnjë fond që do të zgjidhë përfundimisht problemin e ujësjellësit të Bovillës./tvklan.al