“Mbajta premtimin para banorëve”
Nga një rrugë e degraduar me gropa, pluhur e baltë, rruga “Kadri Kërçiku” në Njësinë 2 dhe dy degëzimet e saj, po shtrohen me asfalt e po pajisen me kanalizime, trotuare dhe ndriçim LED. Bashkia e Tiranës është duke i dhënë dorën e fundit punimeve, në mënyrë që stina e shirave ta gjejë rrugën të përfunduar.
“Vërtetë është Gusht, vapë, por kam qenë këtu në fushatë dhe kemi premtuar se Rr. “Kadri Kërçiku” do të bëhej këtë vit, ndaj nuk ka shans të mos bëhet këtë vit. Është një lagje e ndërmjetme, midis Rrugës së Elbasanit, që është një aks kryesor, dhe “Qytetit Studenti”. Duke ndërhyrë në të gjitha hapësirat rreth “Qytetit Studenti”, bëhemi gati për masterplanin, që banorët të mos ndihen si të mbetur pasdore, kur qeveria dhe bashkia të fokusohet tek ‘Qyteti Studenti’”.
Veliaj thotë se ky investim, përveç banorëve të përhershëm të kësaj njësie, do t’i shërbejë edhe studentëve.
“Një pjesë e madhe e studentëve të “Qytetit Studenti” bëhen banorë të Njësisë 2, pasi vendosin që të jetojnë në Tiranë, ndaj për të gjitha këto arsye, jam shumë i lumtur sot që Rr. “Kadri Kërçiku”, që mban emrin e një doktori të madh, të persekutuar, që dha kontributin e tij për mjekësinë shqiptare, besoj se i bën nder”.
Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës edhe në këtë investim po ruan të njëjtin standard sa i përket cilësisë së punimeve.
Tv Klan