Hapja e thirrjeve të reja për 2024, sa i përket bashkëpronësisë dhe ruajtjes së ambienteve në pronësi të përbashkët ka qenë në fokus të bashkëbisedimit të Kryebashkiakut Erion Veliaj me administratorët e pallateve në kryeqytet. Veliaj tha se edhe për këtë nismë të Bashkisë, nuk kanë munguar akuzat e opozitës.
Erion Veliaj: Ka një minorancë që bën zhurmë çdo ditë, për çdo lloj pune. E filluan edhe tek këndi i lojrave me zhurmë, edhe tek Astiri, Pazari, edhe tek Kalaja, tek liqeni, edhe tek liqeni dytë i Farkës, edhe tek bulevardi. Pothuajse çdo punë. Edhe këtu tek Liceu, thanë: “jo, po këta do bëjnë pallat”, ndërkohë shikoni çfarë auditori! Duket sikur i kushtojmë shumë vëmendje një grupi të vogël që bën zhurmë dhe harrojmë një shumicë njerëzish që jeton, që punon me ndershmëri, që e do qytetin, që mban pastër, që do rregull, që ka një komunikim serioz me komunitetin, që kupton që atdheu nuk fillon tek pika doganore kufitare, por fillon tek shtëpia, pallati yt, tek shesh pushimi, tek mënyra se si bashkëpunon me komunitetin.
Mjeshtri i kinemasë, Pirro Milkani, i pranishëm në takimin e kryebashkiakut me administratorët e pallateve, tha se është shumë i lumtur që tashmë pallati ku ai jeton ka standarde bashkëkohore.
Pirro Milkani, mjeshtër i kinematografisë: Unë mund t’ju them vetëm blloku im, nga shpia ime në rrugën Mine Peza deri tek ish-gazeta ‘Zëri i Popullit’ gjithë ai bllok në këto 4, 5 vjet nuk është bërë asgjë tjetër vetëm se është punuar me themel për kanalizimet, për tubacionet e ujit, ndriçimin, për çdo gjë.
Përgjatë 7 viteve, fondi i komunitetit nga Bashkia e Tiranës me vlerë prej 100 milion Lekësh të reja në vit ka mbështetur 174 projekte.
Klan News