Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli për herë të parë mbi arrestimet e kryera nga SPAK ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë, të akuzuar për abuzim me detyrën.
Erion Veliaj: Kam pasur një javë sfiduese me shëndetin tim personal, por siç e keni parë nga lajmet, kam pasur edhe një sfidë me shëndetin e organizatës që drejtoj.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit ekselentë të shkollës “Qemal Stafa”, Veliaj tha se ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi, duhen adresuar.
Erion Veliaj: Unë mendoj se njerëzit duhet t’i zgjidhin problemet me drejtësinë pa e ulur ritmin e organizatës. Kjo është arsyeja pse disa njerëz duhet të bëjnë ‘time out’, dhe pse organizata vetë, në këtë rast Bashkia e Tiranës, duhet të vendosë disa sisteme vetë-korrektuese.
Veliaj theksoi se mbetet i vendosur në ndryshimet për transparencën e luftës kundër konfliktit të interesit për punonjës apo ish-punonjës, qe ato të jenë gjithashtu model ripërtëritje e përmirësimi.
Erion Veliaj: Duhet të mendojmë me kolegët e bashkisë, disa masa konkrete që do duhen marrë, pasi Bashkia Tiranë duhet të jetë kampione edhe në procedurat e prokurimit, garantimin e transparencës, shmangien e konfliktit të interesit.
Kryebashkiaku theksoi se puna duhet të vijojë, jo vetëm për të mos cënuar në asnjë moment besimin e qytetarëve, por për të përmbushur ndaj çdo banori e banoreje të Tiranës premtimet për të cilat janë zotuar.
Tv Klan