Në Tiranë po zhvillohet edicioni i dytë i Festivalit Dixhital Nomad. Ky event bën bashkë nomadët e kësaj fushe në mbarë botën, profesionistët, sipërmarrësit, novatorët dhe të gjithë të rinjtë që aktualisht eksplorojnë botën e punës në distancë.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se ndihet krenar që festivale të tilla zhvillohen edhe në kryeqytetin shqiptar.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë: Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që, për edicionin e dytë të Festivalit të Nomadëve Digjitalë në Tiranë po zhvillohet si një trend i jashtëzakonshëm që ka përfshirë sot gjithë Evropën, sidomos pas Covid-it, ku shumë prej punëve mund të bëhen në distancë. Sot Tirana është numri një në Ballkan, me 3000 nomadë digjitalë, me njerëz profesionistë që kanë dije, jo thjesht njerëz që bëjnë punë manuale, por njerëz që bëjnë punët e së ardhmes. Jo vetëm ata jetojnë mirë në Tiranë, por njohuria që përhapin dhe fakti se si edhe ekosistemi lokal i shumë prej kompanive, shumë prej start-up, frymëzohet nga nomadët digjitalë, është diçka e jashtëzakonshme. Patjetër që promovojmë Tiranën, sigurisht po përgatitemi që vitin tjetër të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës.
Të pranishmit eksploruan të ardhmen e punës dhe teknologjisë me folës të ndryshëm dhe me histori suksesi frymëzuese.
Klan News