Mbahet në Tiranë edicioni i dytë i festivalit të nomadëve digjitalë. I pranishëm në aktivitet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Tirana po bëhet gjithnjë e më gjithëpërfshirëse.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që, për edicionin e dytë të Festivalit të Nomadëve Digjitalë në Tiranë po zhvillohet si një trend i jashtëzakonshëm që ka përfshirë sot gjithë Evropën, sidomos pas Covid-it, ku shumë prej punëve mund të bëhen në distance. Sot Tirana është numri një në Ballkan, me 3000 nomadë digjitalë, me njerëz profesionistë që kanë dije, jo thjesht njerëz që bëjnë punë manuale, por njerëz që bëjnë punët e së ardhmes. Jo vetëm ata jetojnë mirë në Tiranë, por njohuria që përhapin dhe fakti se si edhe ekosistemi lokal i shumë prej kompanive, shumë prej start-up, frymëzohet nga nomadët digjitalë, është diçka e jashtëzakonshme.”
Ky festival, sipas Veliajt i hap rrugë përgatitjeve për kryeqytetin mesdhetar të kulturës.
“Një pjesë e madhe e nomadëve digjitalë do të përfshihen në aktivitete të kulturës dhe të mendosh që jemi rritur në një qytet që kishim vetëm një kombësi; sot jemi në një qytet që ka mbi 140 e ca kombësi do të thotë që diçka po funksionon në Tiranë. Do të donim që ta vazhdonim me gjithë këtë energji pozitive këtë rrugëtim, për të qenë vërtet një qytet kozmopolitan i të gjithëve.”
Festivali, bëri bashkë nomadët digjitalë në mbarë botën, profesionistë,, sipërmarrës, novatorë dhe të gjithë të rinjtë që aktualisht eksplorojnë botën e punës në distancë, ose ëndërrojnë për një punë të tillë.
Tv Klan