Velipoja mbetet edhe këtë sezon destinacioni i vizitorëve besnikë. Nuk janë vetëm nga zonat përreth, por ky bregdet është ndër më te preferuarit nga shqiptarët e Kosovës. Ata thonë se e zgjedhin prej vitesh këtë plazh.
“Velipoja që e frekuentij kam më shumë se 20 vite. Arsyet që dihen, natyra e di gjithë Shqipëria si është Velipoja, klima. Arsyet tjera është që edhe njerëz të huaj që kanë ardhur thonë qetësia e njerëzve.”
Operatorët turistikë thonë se ky sezon është i mbarë. Fluksi i turistëve ka nisur që në gjysmën e dytë të qershorit ndërsa pritshmëritë janë të larta edhe për muajt në vijim.
“E mendoj një sezon jashtëzakonisht të mirë. Kjo duke pasur parasysh edhe prenotimet që kanë bërë për muajt Korrik dhe Gusht. Nga data 15-30 Gusht një pjesë e madhe e hoteleve në Velipojë janë të prenotuar mundat quaj që tani dhe ky është një ogur i mirë për plazhin e Velipojës.”
Këtë vit janë shtuar ndjeshëm rezervimet nga turistë të huaj të cilët vijnë nga shtete të ndryshme.
“Janë kryesisht nga Europa, por më së shumti janë klientë nga Kosova Kosova është ajo që është gjithmonë në vend të parë. Pastaj vijnë edhe vendet e tjera si Polonia, Çekia, Gjermania, Spanja.”
Bizneset në këtë zonë këtë sezon janë munduar që të përmirësojnë shërbimin ndërsa operatorët thonë se ka vetëm një rritje të lehtë të çmimeve.
“Po mundohemi dita ditës që të rrisim edhe shërbimin, kualitetin në mënyrë që klientët të mbesin të kënaqur.”
“Një klient elitar ato kushte kërkon dhe do të paguajë për atë ndryshim që mund të jetë bërë, por relativisht edhe me kushte të plotësuara mirë edhe ato që zgjedhin Velipojën gjejnë edhe çmime shumë të arsyeshme në këtë drejtim.”
Pushuesit e zgjedhin Velipojën, jo vetëm për bregdetin e pastër, por edhe për qetësinë.
Klan News