Një video e re që tregon sulmuesin 20-vjeçar Thomas Matthew Crooks i cili hap zjarr ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump është publikuar së fundmi.

Në video, qytetarët flasin pasi kanë parë 20-vjeçarin Crooks teksa ngjitej në çatinë nga ku me pas qëlloi drejt ish-Presidentit amerikan.

“Ai po ngjitet në çati, e shihni? Ai është shtrirë?”, “ta shohim, është shtrirë” dëgjohen të thonë qytetarët. “Policia, këtu është dikush në çati”, bërtet dikush.

Sipas mediave, një oficer i policisë lokale u ngjit në çati dhe pa Crooks që i drejtoi pushkën, por më pas oficeri u tërhoq dhe Crooks qëlloi në sekondat e ardhshme drejt Trump. Një përfaqësues i Shërbimit Sekret që foli për New York Times fajësoi policinë lokale për të shtënat pasi sipas tij 20-vjeçari ishte jashtë perimetrit të ruajtur nga agjentët e Shërbimit Sekret.

Gjithçka ndodh në 42 sekonda. Trump kishte 6 minuta që fliste para mbështetësve të tij në një fermë të Bulter të Pensilvanisë, kur atentatori hapi zjarr nga çatia e një banese 120 m më larg.

Plumbi e kapi Trumpin në veshin e djathtë dhe fatmirësisht i mbijetoi atentatit që për milimetra mund t’i kishte marrë jetën. Më pas ish-Presidenti amerikan mbulohet ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA nxitojnë në podium për ta rrethuar. “Zbrisni, zbrisni, zbrisni,” thotë njëri prej agjentëve.

Trump mbetet i ulur në tokë i rrethuar nga agjentë, të cilët mund të dëgjohen në mikrofonin e tubimit duke diskutuar se cili automjet do të përdorej për të larguar ish-Presidentin nga skena. Disa sekonda më vonë, agjentë të shumtë thonë: “U rrëzua”.

Agjentët përgatiten të largojnë Trumpin jashtë skenës, por ai u thotë të presin. Me gjakun që i rrjedh nga veshi mbi një pjesë të fytyrës së tij, Trump ngre grushtin në ajër duke brohoritur “luftim” tre herë dhe largohet nga skena.

Ndërkaq ish-agjenti special i FBI-së Ken Grey në një deklaratë është shprehur se aftësia e sulmuesit për t’u afruar aq afër dhe për të goditur një kanditat presidencial tregon se kishte një dështim në sigurinë dhe se FBI po kryen një hetim nëse ishte siguria apo jo e mjaftueshëm për këtë lloj tubimi.

Ai shpjegon se para ngjarjes, siguria fillon me një sondazh në vend ku ata konsiderojnë kërcënimet e mundshme nga mund të vijnë dhe si të nxjerrin dikë nga turma. Agjenti kritikon edhe kohën e gjatë që iu desh shërbimeve të sigurisë për të larguar Trump nga skena, duke sugjeruar se mund të kishte ndodhur një tragjedi me e madhe nëse agresori Crooks do të kishte bashkëpunëtor.

Klan News