“Prokuroria të kryejë veprime të tjera hetimore”
Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shtyrë për në Nëntor shqyrtimin e dosjes ndaj ish-numrit një të akuzës, Adriatik Llalla. Në seancën e së enjtes pritej të vendosej nëse dosja do të kalonte ose jo për gjykim, por avokati mbrojtës i kërkoi që prokuroria të kryente veprime të tjera hetimore, kërkesë kjo që u pranua nga gjykata.
Mësohet se pala mbrojtëse ka kërkuar që prokurorët të verifikojnë mbi transaksionet bankare për blerjen e disa pasurive të paluajtshme nga Llalla, si dhe të thirret në cilësinë e dëshmitarit një i afërm i tij, që ka paguar 3 mijë euro për lindjen e fëmijës së Llallës në SHBA.
Ish-numri një i akuzës është marrë i pandehur tre muaj më parë nga Prokuroria Kundër Krimit dhe Korrupsionit, me akuzën e mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë. Nga ana tjetër Llalla i ka mohuar akuzat e ngritura nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda duke e cilësuar hetimin ndaj tij si një goditje politike.
Hetimet ndaj ish-numrit një të akuzës nisën dy vite më parë nga Prokuroria e Durrësit për katër vepra penale, atë të mosdeklarimit të të hollave në kufi, mosdeklarim pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Më pas dosja në ngarkim të Llallës u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Qershor të 2018-s vendosi në sekuestro një apartament në Durrës dhe disa sipërfaqe toke në Tiranë, vlera e të cilave shkon deri në 980 milionë Lekë.
Tv Klan