Kosova do të kërkojë që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkangjiten territorit të saj, nëse Serbia abuzon me të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje. Opinioni është i kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili në një intervistë për mediat vendase shprehet kundër shkëmbimit të territoreve për hir të një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit te Kosovës:
Ne nuk pretendojmë të marrim ndonjë pjesë të territorit, as do të japim asnjë pjesë të territorit, por do të interesohemi për shqiptarët tanë në luginën e Preshevës dhe jemi të gatshëm me e marrë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin nëse Serbia abuzon.
Veseli kritikon Bashkimin Europian se nuk po përmbush premtimin për liberalizimin e vizave me Kosovën edhe pse të gjitha kriteret janë përmbushur. Kryeparlamentari kosovar shpreh mbështetjen edhe për tatimin me 100% të vlerës për mallrat serbe, që sipas tij duhet të qëndrojë në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ndërsa kryeministrja serbe Ana Brnabiç paralajmëroi se do të ankohej tek kompanitë e mëdha në Shtetet e Bashkuara për bllokimin që Kosova u ka bërë hyrjes së produkteve me markat e tyre që prodhohen në Serbi.
Tv Klan