Partizani luan një transfertë të vështirë ndaj Vllaznisë, në supersfidën e javës së 10-të në Superiore. Në prag të takimit, në konferencë për shtyp foli trajneri i të kuqve, Aleksandar Veselinovic.
Tekniku i të kuqve, deklaroi se fokusi i ekipit duhet të jetë vetëm te ndeshja me Vllazninë, të cilët i vlerësoi maksimalisht.
“Kampionati është shumë i gjatë. Jemi vetëm në muajin tetor dhe është ende herët për të parë kush kryeson. Çdo ndeshje është shumë e fortë. Ndeshja e fundit në Elbasan ishte një spektakël dhe përsa i përket informacioneve që kam, na pret e njëjta atmosferë edhe në Shkodër.
Vllaznia është një klub me shumë traditë dhe histori. Po zhvillojnë një sezon pozitiv dhe janë një skuadër shumë e mirë, por siç e kam pohuar gjithmonë fillimisht duhet të respektojmë veten tonë.
E vetmja gjë në këtë moment është të mendojmë për veten tonë, obligimet tona dhe ndeshja e radhës që na pret. Çdo ndeshje, çdo javë në kampionat është shumë e fortë. Nëse mendojmë për ndeshjet e tjera do të humbasim përqendrimin e asaj çfarë duam të bëjmë. Kampionati shqiptar nuk është në top listën e kampionateve evropiane, por në çdo ndeshje duhet përqendrim deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Në kampionatin serb vetëm dy ekipe Partizani dhe Ylli Kuq luftojnë për titullin kampion çdo vit, ndërsa këtu janë disa skuadra që synojnë të fitojnë titullin. Ndaj mendoj që mënyra e duhur për ne është të fokusohemi te ndeshja e radhës dhe me përqendrimin maksimal”, u shpreh Veselinovic.
Ndeshja Vllaznia-Partizani, do të luhet ditën e shtunë, duke nisur nga ora 19:30 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. /tvklan.al