Ndërsa ritmi i aplikimeve për letërnjoftimet elektronike është në rritje ai i tërheqjes së tyre është shumë i ulët. Në një vëzhgim të kryer në tre njësitë me numër të madh banorësh, në Tiranë, vumë re se numri i qytetarëve që tërheqin kartat e prodhuara është shumë i vogël dhe kjo jo për arsye se nuk ka punonjës të mjaftueshëm, apo mungesë energjie.

Nënkryetari i njësisë bashkiake numër 5, Avenir Shehu,  një nga qendrat me numrin më të madh të banorëve në kryeqytet thotë për Tv Klan se ky proces mbetet vetëm në dorë të qytetarëve nëse duan ose jo të kenë në përdorim letërnjoftimin e ri elektronik.

Avenir Shehu: “Qendrat janë të hapura, qytetarët vijnë aplikojnë normalisht, këtu në krah kemi qendrën ku merren kartat e ID, kështu që ne themi që po vazhdon në rregull. Kemi afishuar ndërkohë dhe listat e zgjedhësve në komplet njësinë bashkiake, përveç se janë afishuar dhe në secilën zonë qendre votimi. Praktikisht orari ka qenë 8 e mëngjesit deri në 9 të darkës, kështu që është shtuar edhe një orë më tepër. Sot do të shikojmë si do të shkojë gjendja. Është e vërtetë që ka karta të pa tërhequra. Por tani ata vazhdojnë normalisht kështu që ngelet në dorë të qytetarëve që të vijnë të tërheqin kartat. Siç e shikoni ajo është bosh, njerëz nuk ka fare, ngelet në dorë të qytetarëve të vijnë të marrin kartat.”

 Në njësitë bashkiake numër 8 dhe  10 , numri i personave që kërkojnë të pajisen me letërnjoftimin elektronik ka ardhur duke u rritur. Vetëm një javë mbetet nga mbyllja e këtij procesi dhe krerë të lartë të ministrisë së brendshme bëjnë thirrje për tërheqjen e letërnjoftimeve, pasi një numër i  madh i tyre janë prodhuar dhe  qëndrojnë ende në zyrat e firmës Aleat pranë njësive bashkiake.

Nga statistikat më të fundit të bëra publike nga ministri i brendshëm Bujar Nishani, tregohet se mbi 1 milion e 390 mijë shtetas shqiptarë kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani