Mediat italiane kanë publikuar këtë të mërkurë detaje nga operacioni që çoi në kapjen e një gomoneje në bordin e së cilës ndodheshin 2.5 ton marijuanë, operacion i zhvilluar në Brindizi të Italisë.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, në pranga përfunduan 4 shqiptarët e identifikuar vetëm me iniciale, M. B. 40 vjeç, X. H. 30 vjeç, B. R. 30 vjeç dhe C. S. 37 vjeç. Në bordin e mjetit lundrues 10 metra të gjatë dhe me 2 motorë të fuqishëm, autoritetet gjetën gjithashtu edhe një kallashnikov.
Ngarkesa e dyshuar u lokalizua në ujërat e Brindizit, nga njësitë detare të Guardia di Finanza dhe një aset islandez i angazhuar në operacionin
Themis 2018
, të Agjencisë Frontex.
Kur dalluan mjetet e Guardia di Finanza, skafistët tentuan ta zhduknin ngarkesën me drogë, duke hedhur disa pako në det, të cilat më vonë u mblodhën nga autoritetet.
Marijuana e sekuestruar ishte e mbështjellë në pako të përmasave të ndryshme dhe kishte një peshë totale prej 2.517 kilogramësh, që nëse do të hidhej në treg, do të kapte vlerën e mbi 20 milionë euro.
Fillimisht ngarkesa e sekuestruar u raportua se ishte 2 ton, por në informacionin zyrtar të policisë italiane u saktësua se ishte 2.5 ton.
/tvklan.al