Histori me zhurmues-Më 30 Janar të vitit 1967 Radio Pekini transmeton një komunikatë, sipas të cilës, revolucionarët proletarë janë bashkuar për t’i shkëputur pushtetin nga duart një grupi reaksionarësh që po e fusnin Kinën në rrugën kapitaliste. Kjo ishte etapa e re në revulucionin kulturor kinez. Më këtë revolucion u solidarizua edhe klasa punëtore në Shqipëri.

Në vitin 1967, Shteti Shqiptar kishte filluar po ashtu t’i kushtonte rëndësi edhe kinemasë. Regjisori Piro Milkani i ftuar në “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço rrëfeu detaje rreth xhirimeve që realizoheshin në vitin 67-të.

“Në vitin 1967 RTSH ishte në një fazë eksperimentale, nuk dilte në terren. Kinostudio në atë kohë përqëndrohej tek filmat dokumentarë dhe kronika për të pasqyruar evenimente kulturore dhe politike që ndodhnin. Në  vitin ‘67 Shqipërinë e goditi një tërmet i fuqishëm dhe menjëherë u nisën 3 grupe xhirimi drejt zonave të Librazhdit dhe Peshkopisë. Atje vërtetë u bë një punë e madhe, por ndodhi edhe një incident me një kameraman shumë të nderuar, Hamdi Ferati, i cili, i varfër si gjithë shqiptarët e tjerë kishte shkuar aty për të fiksuar këto kronika. Por në nxitim e sipër nuk fiksoi një kamion, i cili vinte me disa vullnetarë nga një fshat tjetër. Mehmet Shehu kur e shikon thotë: “Shikoni, shikoni, një njeri i pavëmendshëm që nuk po fikson me kameran e tij këto vullnetarë”.

“E thërret atë urgjentisht, e shan në mënyrë të rëndë dhe e urdhëron të lërë kameran dhe të niset në këmbë nga Dibra në Tiranë dhe t’i thotë drejtorit të Kinostudios se ishte i papërgjegjshëm. Ishte një skenë e shëmtuar. Ai ishte një punëtor i palodhur. Dhe ai vjen në Tiranë dhe i thotë drejtorit të tij se ishte i papërgjegjsëm dhe se Mehmet Shehu e kishte urdhëruar të vinte në këmbë nga Dibra në Tiranë për të thënë këto fjalë”, rrëfeu Milkani.

Regjisori po ashtu tregoi se për të realizuar një film në ato vite duheshin rreth 7-8 milionë lekë.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al