Tirana ka përjetuar për të pestin vit radhazi emocionet që ofron “Nata e bardhë”, një nga ngjarjet më të spikatura kulturore promovuar nga bashkia e Tiranës duke i dhënë një tjetër kuptim rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit.
Kremtimet kanë filluar si zakonisht me bandën e qytetit, për të vazhduar me vizitat e qytetarëve në zyrën e kryebashkiakut Rama, ku siç është bërë edhe traditë s’kanë munguar as fotot. Më pas Rama ka qenë i pranishëm në disa nga aktivitetet e organizuara në sheshet kryesore.
Edi Rama: “Bukuria e “Natës së bardhë” të jetë në të njëjtën kohë edhe një mundësi për fëmijët që të ëndërrojnë, për të moshuarit që të shikojnë me kënaqësi nipat dhe mbesat e tyre në një Shqipëri të lirë.”
Surpriza e këtij viti është pista gjigande e vallëzimit, ku balerinët profesionistë ftojnë në vallëzim spektatorë e kalimtarë. S’janë lënë jashtë argëtimet edhe për fëmijët.
Lulishtja pranë “Skënderbeut” është kthyer në një teatër të vogël mes përrallave, vjershave e tregimeve. “Free Hugs” ka qenë pjesë e spektaklit, ku shumë të rinj, me pankartat “Përqafomë” në duar ecin nëpër rrugët e qytetit për të ndarë me kalimtarët përqafime. Festimet do të vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit./tvklan.al