Kreu i bashkisë së Tiranës Edi Rama, në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2009, është takuar me banorët e njësisë bashkiake nr.7. Nisma “Thuaj fjalën tënde” ka si qëllim të ndajë me banorët e kryeqytetit projektet më të rëndësishme në zhvillimin e qytetit.

Gjatë këtij takimi Rama u shpreh, se do të transformojë hapësirat urbane në mënyrë që të jeta komunitare të mos jetë e fokusuar vetëm rreth qendrës.

Edi Rama: “Do të mund jo vetëm që të transferojmë jetën e këtyre komuniteteve nga pikëpamja e cilësisë së hapësirës publike, por dhe të rrisnim në mënyrë të ndjeshme vlerën e hapësirave të banimit, vlerën e hapësirave tregtare dhe vlerën e jetës komunitare. Brenda kësaj periudhe do t’i transformojmë këto hapësira në hapësira urbane të një cilësie evropiane, duke u dhënë mundësinë të rejave dhe të rinjve që të mos shohin vetëm nga Blloku, por të mund të shkojnë edhe në pikat e tjera për të kaluar kohën e lirë.”

Gjatë hartimit të buxhetit të vitit 2009, bashkia po lançon edhe nismën më të fundit që është “fondi i komunitetit”, që do të thotë se 10% e investimeve do të caktohen nga qytetarët./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami