Ori Debinja, një talent i ri nga Lushnja, është rikthyer në “X Factor Albania” për herë të dytë, duke treguar se përkushtimi dhe dashuria për muzikën mund të thyjnë çdo barrierë. Në moshën 23-vjeçare, Ori është një student i Arkitekturës, por muzika mbetet ëndrra e tij më e madhe.
Duke pasur një fillim të vështirë, ku familja e tij nuk e mbështeste plotësisht në karrierën muzikore, Ori ka arritur të fitojë zemrat e tyre me kalimin e kohës. Ai ka marrë pjesë në konkurse të njohura si “Gjeniu i Vogël” dhe “Kënga Magjike”, dhe tashmë ka një kanal në YouTube ku ndan këngët e tij origjinale dhe cover-a të njohur.
Një histori e veçantë e jetës së tij lidhet me periudhën kur mamaja e tij u diagnostikua me një sëmundje të rëndë dhe Ori, duke i qëndruar pranë, e shoqëroi në vizitat mjekësore në Stamboll.
Megjithatë, rruga e tij ka pasur gjithashtu sfida të mëdha. Ori ka përjetuar bullizëm për shkak të zërit të tij të hollë, gjë që ka lënë gjurmë në shëndetin e tij mendor dhe ka shkaktuar depresion. Por, ai ka përdorur muzikën si një mjet për të shprehur dhimbjen dhe për t’u shëruar. “Arsyeja pse e dua muzikën është zëri im,” shprehet ai.
Përveç muzikës, Ori ka një pasion të dytë: arkitekturën. Pas një viti të kaluar në fakultetin e Stomatologjisë, ai vendosi të braktiste atë për të ndjekur ëndrrën e tij në arkitekturë, pas marrjes së një burse studimi. Sidoqoftë, muzika mbetet gjithmonë për të prioriteti i parë, dhe ai është i vendosur të vazhdojë ta ndjekë këtë rrugë pavarësisht nga sfidat e jetës. Dhe me “Po-të” e marra nga juria sot ai është një hap më afër…
/tvklan.al